Mbetjet e anijes së fundit të eksploruesit polar Ernest Shackletonjanë gjetur në brigjet e provincës Newfoundland dhe Labrador
Mbetjet e anijes së fundit të eksploruesit të famshëm polar britanik Ernest Shackleton, në bordin e së cilës ai vdiq ndërsa ishte duke shkuar drejt Antarktidës, janë gjetur në brigjet e provincës kanadeze Newfoundland dhe Labrador, njoftoi të mërkurën një grup studiuesish, sipas AFP.
E ndodhur në një thellësi prej 390 metrash, Quest është “një anije shumë e rëndësishme nga pikëpamja historike,” tha John Geiger, drejtori i përgjithshëm i Shoqërisë Mbretërore Gjeografike të Kanadasë, organizuesja e ekspeditës.
Ernest Shackleton hyri në legjendën e ekspeditave polare falë udhëtimit epik që ndërmori së bashku me 27 shokë, në këmbë dhe me varkë, pas mbytjes së anijes së tij, Endurance, në ujërat e ngrira të Antarktidës në vitin 1915.
Për disa muaj, ekuipazhi mbijetoi mbi akullnajat dhe më pas në një ishull të ngrirë të Antarktidës. Anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan falë udhëtimit të guximshëm të Shackleton, i cili u nis me një varkë, i shoqëruar nga disa shokë, për të kërkuar ndihmë.
Zbulimi i mbetjeve të Quest shënon “një nga kapitujt e fundit të historisë së jashtëzakonshme të Sir Ernest Shackleton,” tha John Geiger, me rastin e një konference për shtyp, duke shtuar se anija me vela dhe avull u gjet të dielën, me ndihmën e një sonari.
“Mbetjet përputhen me informacionet që kemi për mbytjen dhe ndodhen në vendin e duhur, ku nuk ka mbetje të tjera të këtij lloji. Kjo na lejon, pra, të themi me besim të plotë se është vërtet fjala për Quest,” shpjegoi David Mearns, kërkues i mbetjeve dhe anëtar i ekspeditës.
Në imazhet e kapura nga sonari, anija dukej në pjesën më të madhe të paprekur, e vendosur vertikalisht, mbi fundin e detit. Një nga dy direkët është i thyer dhe pushon në fundin e detit.
Shtatë vjet pas mbytjes së anijes Endurance, më 5 janar 1922, eksploruesi Ernest Shackleton vdiq në moshën 47-vjeçare nga një atak në zemër ndërsa ishte në bordin e anijes Quest, ankoruar në brigjet e ishullit Georgia e Jugut, në Atlantikun e Jugut. Eksploruesi britanik ishte nisur në ekspeditën e tij të katërt.
Anija Quest u përdor më pas për ekspedita të tjera, për operacione shpëtimi në Arktik, si dhe nga marina kanadeze gjatë Luftës së Dytë Botërore. Anija u mbyt në vitin 1962, e dëmtuar nga akullnajat, në brigjet e Newfoundland. Të gjithë anëtarët norvegjezë të ekuipazhit mbijetuan mbytjen.
Një ekspeditë tjetër është planifikuar për pjesën e dytë të këtij viti për të fotografuar dhe dokumentuar mbetjet.