Një person është arrestuar në Prishtinë pasi duke tentuar t’i shmangej ndalimit policor, e kishte goditur veturën zyrtare të Policisë dhe iu kishte shkaktuar lëndime trupore policëve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia njoftuan të enjten se të dyshuarit i është gjetur një sasi e dyshuar narkotike dhe pas bastisjeve në Prishtinë dhe në Fushë-Kosovë, janë sekuestruar 6 qese të llojit marihuanë, një peshore digjitale për matje, një telefon celular dhe para kesh.
Të dyshuarit me inicialet L.SH. i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve. Ndaj tij janë iniciuar veprat penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
“I dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh, derisa ndaj të njëjtit Prokuroria do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore. Ju njoftojmë se ky operacion është realizuar me sukses në saje të bashkëpunimit të ngushtë të Prokurorit të Shtetit me Policinë e Kosovës”, thuhet në komunikatën e përbashkët.