Dokumentet prezantojnë një periudhë të artë të aktivizmit ku parulla ‘Kosova Republikë’ ishte shpërthim i revoltës kundër robërimit. Ekspozita e hapur mesditën e së mërkurës në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës sjell një pjesë të faktografisë së asaj kohe.
Nëpërmjet faksimileve të dokumenteve arkivore të shpalosura në ekspozitën “Rizgjimi në vlerat kombëtare ‘Kosova Republikë’”- në çerekshekullin e çlirimit të Kosovës shpaloset një histori e shtrirë në më shumë se pesëdhjetë vjet. Janë kapituj që emërues të përbashkët kanë rizgjimin kombëtar. Nis me bashkëpunimet kulturore e shkencore midis Kosovës e Shqipërisë, ndalet edhe te demonstratat e vitit 1981, te kërkesat për Kosovën Republikë, për të kulmuar me çlirim
Ndonëse në rrethana okupimi, kultura krahas politikës gjente forma të aktivizmit. Media e mbante publikun të lidhur për informacioni. Ato edhe sot janë dokumente të rëndësishme. Të paktën për aq sa ruhen nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës. Si artefakte janë paraqitur edhe në ekspozitën “Rizgjimi në vlerat kombëtare ‘Kosova Republikë’” në bashkëpunim me institucionin homolog të Shqipërisë.
Dokumentet prezantojnë një periudhë të artë të aktivizmit ku parulla ‘Kosova Republikë’ ishte shpërthim i revoltës kundër robërimit. Ekspozita e hapur mesditën e së mërkurës në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës sjell një pjesë të faktografisë së asaj kohe.
Në ditën kur është shënuar jubileu i 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, institucioni i arkivave në Kosovë e ai në Shqipëri kanë publikuar një pjesë të materialeve që përfshijnë vitet ’70 dhe ’80.
Marrëveshjet e bashkëpunimit shkencor në fillim të viteve ’70 përfshijnë informacione nga vizitat e delegacioneve të Shqipërisë në Kosovë e listat e ligjëruesve nga Universiteti i Tiranës që do të merrnin pjesë. Tregohet se pjesë e ligjëruesve nga Shqipëria ishin edhe drejtuesit e institucioneve të kërkimit shkencor të asaj kohe.
Imazhet paraqesin momente nga marrëveshjet dhe takimet e grupeve punuese midis Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe palës nga Kosova. Sa i përket kulturës, janë dokumentet e organizimit të koncerteve me figura të shquara si Nexhmije Pagarusha, Liliana Çavolli, Shpresa Gashi e shumë të tjerë që shoqëroheshin nga Orkestra e Radiotelevizionit të Prishtinës në atë kohë.
Dokumentet shpalosin detaje nga teza e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri të përpiluar nga Ukshin Hoti më 20 nëntor të 1974-s.
Kur shpaloset pozita e medias në atë kohë, në ekspozitën “Rizgjimi në vlerat kombëtare…” shpalosen analiza të detajuara të shqipit, radios e televizionit shqiptar mbi tematikat e ndryshme për Kosovën deri në vitin 1979.
Janë prezantuar imazhe e dokumente nga demonstratat e vitit 1981 dhe raportimi i ngjarjes për mediat shqiptare nga regjisori Ylli Pepo, si dhe jehona e kësaj ngjarjeje në shtypin amerikan.
Shtypi shqiptar ishte një formë për të prezantuar krijimtarinë letrare në atë kohë. Aty janë krijimet për fëmijë nga Vehbi Kikaj, Ymer Elshani, Rexhep Hoxha, Zejnullah Halili. Kauza “Kosova Republikë” në faqet e shtypit “Zëri i popullit” është një tjetër kapitull nga 13 pllakatet me dokumente të ekspozuara.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bislim Bislimi, ka thënë se në ekspozitë rëndësi u kushtohet edhe materialeve që lidhen me relacionin e shtypit amerikan dhe Kosovës.
“Sot Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës bashkë me Arkivin e Shqipërisë në kuadër të shënimit të përvjetorit jubilar të çerekshekullit të parë të lirisë së Kosovës, sjell para publikut ekspozitën e radhës me titull ‘Rizgjimi në vlerat kombëtare, ‘Kosova Republikë’’, që përmes materialeve e fakteve dokumentare që gjenden në institucionet tona arkivore, që domethënë të vërtetat burimore të pakontestueshme, i rikthejmë për kujtim, vlerësim e rivlerësim një pjesë të shkëmbimeve e aktiviteteve politike, mediatike, kulturore, që i paraprinë epokës së rizgjimit tonë që nga demonstratat e vitit 1981 e tutje deri në arritjen e momentit të lirisë sonë. Po ashtu, paraqiten materiale që lidhen me relacionin e shtypit amerikan të vendit tonë, shkrime e artikuj të botuar, dokumente të Ambasadës shqiptare në Beograd dhe takimet që ndodhën”, ka thënë ai.
Lorenc Agalliu nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë ka thënë se kjo ekspozitë është vetëm një copëz e gjithë sasisë së madhe dokumentare që arkivat shqiptare disponojnë për historinë e Kosovës.
“Çlirimi i Kosovës nuk do të ishte iniciuar pa këtë ngjarje që po ekspozojmë sot, sepse pikërisht në këto data në vitet 70-81 janë nisur ndër revoltat e para të popullit shqiptar të Kosovës për shpalljen e Kosovës të pavarësuar në masë”, ka thënë Agalliu në hapje të ekspozitës.
Një ekspozitë si kjo është vlerësuar si burim për studime e analiza të këtij kapitulli me peshë për historinë e Kosovës.