Shefi i Diplomacisë Evropiane, Josep Borrell, pritet që ta dorëzojë Raportin për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së ndaj saj. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano pati paralajmëruar se do të përfshihen edhe mbyllja e pikave ilegale të bankave serbe në vend dhe aksionin e Policisë së Kosovës për konfiskimin e dinarëve.
“Masat janë vendosur si përgjigje e hapave të pakoordinuar e të njëanshëm që dërgojnë drejtë eskalimit të mëtejmë, dhe nuk ndihmojnë në deeskalim. Ato ishin vendosur me qëllimin që të motivojnë autoritetet kosovare që të punojnë drejt deeskalimit, kështu që sigurisht gjithçka që po ndodh në terren dhe ka ndikim negativ në përpjekjet për deeskalim, po merret parasysh dhe përfshihet në raport”, pati thënë Stano në konferencë për media.
Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka bërë thirrje që masat ndaj Kosovës të hiqen, duke i cilësuar ato si të padrejta.
Madje, javën e kaluar, kryeparlamentari Glauk Konjufca si një kundërpërgjigje ndaj Stanos, ai tha se “do të ishte mirë Borrelli të shkruante në raport që bankat e Serbisë që u mbyllën ishin të paligjshme”.
“Do të ishte mirë që z.Borrell ta shkruante raportin të thotë që këto institucione ishin banka të paligjshme të Serbisë në Kosovë. Është mirë me ja dhënë definicionin çka janë ato. Kështu ishin ato, ishin Banka të Serbisë në Republikën e Kosovës. Si të tilla nuk mendoj që ishin të lejueshme, dhe duhet të trajtohen ashtu siç e thotë ligji. Ligji e thotë që ato duhet të mbyllen”, kishte thënë Konjufca.
Me një operacion policor, autoritetet kosovare mbyllën në veri të Kosovës gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, duke nxitur kështu reagime të autoriteteve ndërkombëtare.
Ata thanë se Kosova nuk u koordinua me aleatët për këtë veprim, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.
Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.