Policia e Durrësit ka arrestuar një 47-vjeçar pasi akuzohet se magazinonte dhe shiste kontrabandë implante dhe materiale dentare. Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ra shtetasi me inicialet B. Xh.
NJOFTIMI I POLICISË
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Dental”.
Magazinonte dhe shiste në kundërshtim me ligjin, implante dhe materiale dentare të dyshuara të kontrabanduara, arrestohet në flagrancë 47-vjeçari. Sekuestrohen implante dhe materiale dentare me vlerë rreth 50 000 euro, një automjet dhe një shumë parash. Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Dental”.
Gjatë operacionit, në lagjen nr.9, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në automjetin me drejtues shtetasin B. Xh., në të cilin gjetën implante, pajisje dhe materiale dentare, pa faturat përkatëse, me vlerë rreth 50 000 euro, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe një shumë parash.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi B. Xh., 47 vjeç, banues në Vlorë, i cili dyshohet se magazinonte dhe shiste në kundërshtim me ligjin, implante dhe materiale dentare të dyshuara të kontrabanduara. Materialet procdurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.