Ushtria libaneze ka njoftuar të mërkurën se një person i armatosur është munduar ta sulmojë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Bejrut. Ushtria e Libanit tha në një deklaratë se e qëlloi sulmuesin, të cilin ajo e përshkroi vetëm si shtetas sirian. Sulmuesi u dërgua në spital i plagosur, njoftoi Associated Press (AP). Mediat lokale raportuan se të shtënat rreth misionit diplomatik amerikan në veri të Bejrutit zgjatën për gati gjysmë ore.
Ambasada amerikane tha se sulmi i mëngjesit në hyrje të objektit nuk shkaktoi viktima në stafin e saj. Motivet e sulmit nuk u bënë të ditura. Megjithatë, mediat libaneze kanë publikuar fotografi që duket se tregojnë një sulmues të gjakosur. Një zyrtar libanez i sigurisë, në kushte anonimiteti, tha për Associated Press se gjithsej janë katër sulmues – një që i çoi të armatosurit në vend dhe tre që sulmuan me armë zjarri.
Një sulmues u vra, një u arratis dhe i treti u plagos dhe u arrestua nga ushtria libaneze. Ushtria tha se kishte dislokuar trupa rreth Ambasadës amerikane dhe zonave përreth. Në vitin 1983, një sulm vdekjeprurës me bombë në Ambasadën e SHBA-së në Bejrut vrau 63 persona. Për sulmin, zyrtarët amerikanë fajësojnë grupin militant libanez Hezbollah. Pas atij sulmi, ambasada u zhvendos nga qendra e Bejrutit në veri të kryeqytetit. Një tjetër sulm me bombë goditi vendndodhjen e re më 20 shtator 1984.
Në shtatorin e vitit 2023, forcat libaneze të sigurisë arrestuan një libanez që hapi zjarr në Ambasadën e SHBA-së. Në atë sulm nuk pati viktima. Në tetor të vitit 2023, qindra protestues u përleshën me forcat libaneze të sigurisë në demonstrata pranë Ambasadës së SHBA-së, në mbështetje të popullit në Gazë dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – në luftën e tij me Izraelin.