Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Rezoluta kaloi me 84 vota për. Kundër ishin 19, ndërsa abstenime 68.
“Rezoluta nuk është e drejtuar kundër askujt. As kundër Serbisë – anëtare e vlefshme e kësaj organizate. Ajo shënjestron vetëm autorët e gjenocidit”, tha në hapje të debatit ambasadorja e Gjermanisë në OKB, Antje Leendertse, vendi i së cilës e bashkëhartoi tekstin e rezolutës.
Në adresimin e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se bëhet fjalë për një “rezolutë shumë të politizuar” që “nuk do t’i kontribuojë pajtimit as në Bosnje e Hercegovinë, as në rajon”.
Rezoluta, ndër të tjera, bën thirrje edhe për “dënimin pa rezerva të çdo mohimi të gjenocidit në Srebrenicë, si dhe të veprimeve që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë edhe ata që janë përgjegjës për gjenocidin”.
Pjesë nga teksti përfundimtar i rezolutës mund të lexoni KËTU
Në Srebrenicë – pjesa lindore e Bosnje e Hercegovinës – forcat serbe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në korrik të vitit 1995.
Krimi u njoh si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, në vitin 2007.
Si votuan vendet e tjera?
Përveç Serbisë, vendet e rajonit – Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Kroacia – votuan për.
Nga vendet e Bashkimit Evropian, Hungaria ishte kundër, ndërsa Greqia, Sllovakia dhe Qiproja abstenuan.
Kina, Kuba, Azerbajxhani, Nikaragua dhe Venezuela ishin në mesin e atyre që votuan kundër.
Kush e sponosorizoi rezolutën?
Gjermania dhe Ruanda janë “sponsorizueset” kryesore të rezolutës për Srebrenicën, përkatësisht shtetet që bashkërisht e iniciuan dhe hartuan tekstin e saj.
Më pas, 32 shtete anëtare të OKB-së u bënë “bashkësponsorizuese”, apo vende që morën përsipër detyrën e prezantimit të draftit para 193 shteteve anëtare të kësaj organizate.
Dokumenti nxiti reagime të furishme në Serbi dhe në entitetin serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska, ndonëse ato nuk përmenden në tekst.
Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të tij, ndërsa, pak orë para se të niste debati në Asamblenë e Përgjithshme, Republika Sërpska ofroi, siç tha, një marrëveshje për “ndarjen paqësore” të Bosnje e Hercegovinës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi në vitin 2007 se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë.
Për gjenocidin e kryer, deri më tash, u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.
Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.