Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, të vendosura një vit më parë. Këtë kërkesë Osmani e ka pasur të martën kur është takuar me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe me disa ambasadorë tjerë të shteteve evropiane. E para e vendit ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë plotësisht në linjë me politikat e BE-së në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme dhe se tashmë janë plotësuar të gjitha kushtet për heqjen e këtyre masave, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Presidentja Osmani theksoi se Kosova vazhdon të jetë plotësisht e linjëzuar me politikat e BE-së në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, përfshirë miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe shteteve apo grupeve të tjera të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen globale. Tutje, presidentja Osmani diskutoi edhe për nevojën e heqjes së masave ndaj Kosovës, të cilat më së shumti po godasin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, pa dallim, duke potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet”, u tha në komunikatë.
Krerët e shtetit kanë kërkuar në vazhdimësi muajin e fundit heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë thënë thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.
Kosova kërkoi heqjen e masave pas organizimit të votimit për largimin e kryetarëve në veri, që ishte një nga kërkesat e BE-së.
Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët. Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.
Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.
Nga BE-ja kishin deklaruar se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Kosovën është drejt finalizimit dhe se heqja apo jo e masave do të varet nga ky raport dhe nga vendet anëtare.
Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).