Ka nisur mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku pritet të shqyrtohen një sërë çështjesh që lidhen me punën e legjislativit dhe përgatitjet për seancën e ardhshme plenare.
Në mesin e pikave të rendit të ditës është përgatitja për shqyrtimin e disa projektligjeve, përfshirë projektligjin për agjencinë e menaxhimit të emergjencave, projektligjin për regjistrimin e bujqësisë dhe projektligjin për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë.
Gjithashtu, kryesia pritet të trajtojë përfshirjen në rendin e ditës të raportit të Auditorit të Përgjithshëm për auditimin vjetor të buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2025.
Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe propozimet e grupeve parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare, si dhe propozimi i Listës Serbe për emërimin e deputetëve në këto komisione.
Në rendin e propozuar të ditës për seancën e ardhshme përfshihen edhe miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Pas përfundimit të mbledhjes pritet të bëhen të ditura vendimet e kryesisë lidhur me organizimin e punimeve të ardhshme të kuvendit.