Sot mund të jetë njëra prej ditëve më të rëndësishme për procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale të Hagës.
Kjo pasi, 21 maji ishte afati kur Prokuroria e Specializuar do të dilte me numrin e reduktuar të dëshmitarëve që do të dëshmojnë në gjykatore.
Pavarësisht se kishte bërë të ditur se ka në listë edhe rreth 140 dëshmitarë, trupi gjykues kërkoi që ky numër të shkurtohet edhe më tutje. Si rezultat, të shkurtohet edhe gjykimi në përgjithësi.
Vendimi pritet të merret sot, dhe mbetet të shihet nëse seanca do të jetë publike.
Kur ka kaluar gati 1 vit nga nisja e gjykimit, 48 dëshmitarë kanë dhënë dëshminë e tyre. E Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte bërë të ditur se ka të planifikuar edhe mbi 140 të tjerë për t’u ftuar në gjykatë.
“Trupi gjykues më 21 shkurt hulumtoi me palët mënyra se si ta bënte procedurën më efikase në dritën e afatit kohor të prillit 2025 të treguar nga Prokuroria për përfundimin e rastit dhe numrit aktual të dëshmitarëve që janë marrë në pyetje deri më tani”, thuhej në një përgjigje nga Gjykata Speciale për Nacionalen.
Përveç zvogëlimit të numrit të dëshmitarëve, Trupi Gjykues kërkoi nga palët të kenë kujdes në formulimin e pyetjeve në mënyrë që procesi të mos zgjatet.
“Në veçanti, u diskutua thjeshtimi i çështjes së prokurorisë dhe kryetari i trupit gjykues i dha PSP-së deri më 21 maj për të dalë me një vlerësim të ri, të reduktuar të numrit të dëshmitarëve të mbetur për t’u thirrur. U diskutuan edhe çështje të tjera në lidhje me përmirësimin e efikasitetit të çështjes, duke përfshirë rendin e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria, kohën e parashikuar për marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga ekipet e mbrojtjes dhe mundësinë e seancave të rregullta për të diskutuar ecurinë e rastet”, thuhet më tej në këtë përgjigje.
Pak pa u bërë një vit që kur ka nisur procesi gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë, janë dëgjuar saktësisht 48 dëshmitarë. Megjithatë, Prokuroria e Specializuar po synon t’i thërrasë edhe 144 dëshmitarë të tjerë.
Nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë, atëherë edhe me gati 150 dëshmitarë, i bie që vetëm Prokuroria e Specializuar ka nevojë edhe për gati 3 vjet kohë që ta finalizojë rastin e saj. Duke ditur se krerët e UÇK-së kanë qëndruar për 3 vjet në paraburgim pa nisur gjykimi, atëherë periudha vlerësohet të jetë tejet e gjatë.
Por, që një gjë e tillë të mos ndodh, pritet të përkujdeset trupi gjykues. Ata kanë përcaktuar disa afate që Prokuroria e Hagës të tregojë se deri kur mund ta përmbyllë rastin e saj. Kujtojmë se fillimisht, ata kishin vlerësuar që mund ta përmbyllin rastin në prill të vitit 2025.
“Mendoj që të gjitha palët kanë luajtur rolin e vet për vonesat e shkaktuara deri tani. Ju garantoj që kam dëgjuar pyetje të përsëritura shumë herë nga mbrojtja, ashtu siç kam dëgjuar pyetje të përsëritura shumë herë nga Prokuroria”, tha Smith III.
Prokuroria e Specializuar tentoi të arsyetohet duke theksuar se pengimi i dëshmitarëve, ka bërë që të mos dëshmojnë ende një pjesë e dëshmitarëve më të rëndësishëm.
“Disa prej tyre janë thirrur, e disa prej tyre nuk janë thirrur për arsye që nuk varen nga ne. Njëra nga arsyet ishte pengimi i dëshmitarëve në këtë çështje, kjo na ka çuar që t’i sjellim dëshmitarët që nuk dëshironim. Na ka bërë të shmangemi në burimet edhe hapjen e çështjes së 10 dhe 11 për pengim të dëshmitarëve. Ka arsye që nuk varen nga ne. Qëllimi ynë është që të thërrasim dëshmitarët kryesor në fillim, disa prej këtyre i kemi thirrur, disa të tjerë jo për arsye që nuk varen nga ne”, tha prokurori.
Edhe në një seancë para pak ditësh, kryegjqytari Charles Smith, tha se po synojnë t’i shpejtojnë hapat në mënyrë që të zhvillohet gjykim i drejtë.
Ai ka bërë të ditur se deri më tash, në të gjitha formatet kanë dhënë dëshminë e tyre mbi 100 dëshmitarë. 60 prej të cilëve kanë qenë LIVE në gjykatore, kurse të tjerët me shkrim, apo me deklarata të tjera për dëshmitarët e vdekur ose që janë të sëmurë.
“Kemi pasur 60 dëshmitarë deri më tani, kemi pranuar 13 dëshmitarë sipas rregullit të caktuar, dhe deklaratat e 33 dëshmitarëve kemi pranuar që kanë vdekur ose nuk janë të disponueshëm për arsye të ndryshëm. Numri i dëshmitarëve të Prokurorisë ka qenë 105 përfshirë këto që sapo citova, trupi gjykues ka pasur 427 parashtrime për të cilat është dashur të marrin vendim, kërkesa nga palët ose vendim, dhe janë marrë 367 vendime nga trupi gjykues. Kjo është punë e përbashkët që vjen në bazë të punës në sallën e gjyqit. Punë e jashtëzakonshme”, tha kryegjyqtari Smith.
Gjyqtari i rastit ka bërë të ditur se brenda këtij muaji, Prokuroria e Specializuar duhet ta ofrojë një numër më të redaktuar të dëshmitarëve. Në fillim, kishte pasur 320 dëshmitarë.
“Prokuroria ka thënë në fillim se do të kishte 320 dëshmitarë, e ka reduktuar numrin dhe brenda këtij muaji do të na jap një përditësim dhe shpresoj ta kenë reduktuar edhe më tutje. Dëshmitarët do të vinë në formate të ndryshme, herë me shkrim herë live”, tha gjyqtari.
Gjyqtari Smith ka deklaruar se është me interes të madh që përveç që gjykimi të jetë i drejtë, ai të jetë edhe i shpejtë.