Shkencëtarët kanë demonstruar një nga teoritë e Albert Einstein, duke provuar jo vetëm ekzistencën e një rajoni “të zhytjes” përreth një vrime të zezë ku materia bie, por edhe faktin se kjo zonë ushtron disa nga forcat gravitacionale më të fuqishme të identifikuara deri më tani në galaktikë, raporton të enjten DPA/PA Media.
Teoria e Einstein-it pohon se është e pamundur që grimcat e materies të ndjekin orbita rrethore kur janë afër një vrime të zezë. Në vend të kësaj, ato zhyten shpejt drejt objektit, me një shpejtësi afër asaj të dritës.
Sipas ekspertëve, zbulimet demonstrojnë se materia reagon ndaj gravitetit “në formën më të fuqishme të mundshme”.
Studimi i ri është përqendruar për herë të parë në thellësi në këtë rajon, ku shkencëtarët nga Departamenti i Fizikës në Universitetin e Oksfordit në Angli janë mbështetur në analizën e të dhënave të marra nga teleskopët me rreze X për të arritur një kuptim më të mirë të forcës së gjeneruar nga vrimat e zeza.
“Ajo që është vërtet interesante është fakti se ka shumë vrima të zeza në galaktikë, dhe tani ne kemi një teknikë të re të fuqishme për t’i përdorur për të studiuar fushat gravitacionale më të fuqishme të njohura,” tha drejtuesi i studimit, Dr. Andrew Mummery, nga Departamenti i Fizikës në Universitetin e Oksfordit.
“Teoria e Einstein-it parashikoi se kjo zhytje përfundimtare do të ekzistonte, por kjo është hera e parë që kemi arritur të demonstrojmë se kjo ndodh. Mendoni për të si për një lumë që shndërrohet në një ujëvarë – deri tani, ne kemi parë lumin. Kjo është hera e parë që shohim ujëvarën. Besojmë se kjo përfaqëson një hap të ri emocionues përpara në studimin e vrimave të zeza, duke na lejuar të studiojmë këtë zonë përfundimtare përreth tyre. Vetëm atëherë do të mund të kuptojmë plotësisht forcën gravitacionale,” shtoi ai.
“Kjo zhytje përfundimtare e plazmës ndodh pikërisht në buzë të një vrime të zezë dhe tregon se si materia përgjigjet ndaj gravitetit në formën më të fuqishme të mundshme,” theksoi shkencëtari.
Sipas shkencëtarëve, për shumë dekada ka pasur shumë debate ndër astrofizikanët në lidhje me mundësinë e zbulimit të rajonit të ashtuquajtur të zhytjes.
Ekipi nga Oksfordi ka kaluar dy vitet e fundit duke zhvilluar modele për këtë dhe, në studimin që sapo është publikuar, ka demonstruar zbulimin e parë të konfirmuar të kësaj mundësie të zbulimit, me ndihmën e teleskopëve me rreze X dhe të dhënave nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor (ISS).
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Monthly Notices of the Astronomical Society, është përqendruar në vrima të zeza më të vogla, relativisht afër Tokës, duke përdorur të dhëna të mbledhura nga teleskopët hapësinorë.
Gjatë këtij viti, një ekip i dytë nga Universiteti i Oksfordit shpreson të realizojë filmimet e para të disa vrimave të zeza më të mëdha dhe më të largëta.