Në vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës ka lidhur kontratë trevjeçare 12-milionë euro me një konzorcium të quajtur “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” për konsulta dhe shërbime arkitektonike të kryeqytetit. Bartëse e konzorciumit është kompania e arkitektit Astrit Nixha, “ANARCH” SH.P.K, ndërsa anëtare e konzorciumit është edhe kompania Ardi CC L.L.C, me pronar Albi Shita. Demokracia.com ka pasur qasje në ofertën e tenderit të realizuar nga Komuna e Prishtinës dhe aty shihet se kompania e Nixhës ka qenë bashkëpunëtore në një projekt me kompaninë e kryetarit Përparim Rama, “4M group”. Megjithatë, nënshkrimi i kontratës ka disa mospërputhje.
Fillimisht, Komuna e Prishtinës kishte hapur tender në vitin 2022 për “Konsulencë për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës”.
Konzorciumi në mes Ardi CC L.L.C dhe Anarch shpk është themeluar më 30.08.2022.
Siç shihet, personi i autorizuar për të nënshkruar kantatën ka qenë , Astrit Nixha dhe Anarch, por në kontratë është nënshkruar Albi Shita.
Pra, kontrata është nënshkruar nga kompania “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” SH.P.K – SHAK, e cila sipas të dhënave të ARBK-së ka për aksionarë dy kompanitë e lartshënuara, atë të Nixhës më 60 për qind të aksioneve dhe të Shitës më 40 për qind të aksioneve.
Bazuar në të dhënat e ARBK-së, SHAK është regjistruar më 27.06.2023. Po me këtë datë e ka hedhur nënshkrimin dhe vulën në kontratë udhëheqësi i prokurimit të Komunës së Prishtinës, Visar Shehu. Nënshkrimin në kontratë, por pa figuruar data, e ka hedhur edhe kryetari Përparim Rama. Po ashtu, në emër të kontraktorit, nënshkrimin në kontratë dhe vulën e kompanisë e ka hedhur Albi Shita. Data kur ky e ka hedhur nënshkrimin dhe e ka vulosur mban datën 27.03.2023. Fiks tre muaj para se të regjistrohet kompania në ARBK, pasi vula e hedhur aty është e kompanisë “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit SH.P.K.”
Nga faturat e pagesave që janë publikuar së fundmi nga opozita në Prishtinë rezulton se llogaria bankare nuk është në emër të SHAK, por të Anarch. Madje, nga pagesat që i ka bërë komuna e Përparim Ramës për punët e kryera, del se kompania ka kryer punë ‘eksperes’ për komunën ose vetëm rreth një muaj e gjysmë pas lidhjes së kontratës i është paguar një faturë në vlerë prej 395 mijë euro. /Demokracia.com/
Lexo edhe: