Akhmat Grozni triumfoi ndaj Krylja Sovetov në kuadër të javës së 28-të të elitës së futbollit rus. Kjo skuadër triumfoi në transfertë me rezultatin e pastër 2-0, ku protagonisti absolut ishte Bernard Berisha.
Shqiptari i Kosovës, fillimisht asistoi te goli i Mohamed Konata në minutën e 45-të. Përveç kësaj, ai shënoi në minutën e 62-të një gol të bukur për të vulosur fitoren e Akhmat Groznit.
Grozni pas kësaj fitore ka 35 pikë dhe renditet në vendin e dhjetë në tabelë. Për ish-futbollistin e Skënderbeut dhe Besës në futbollin shqiptar, ky ishte goli i tretë në kampionat këtë sezon si dhe asisti i pestë.