E diela do të sjell xhiron e parafundit të sezonit në Superligën e Maqedonisë së Veriut, por edhe një derbi mjaftë të zjarrtë në Tetovë ndërmjet Shkëndijës dhe Struga Trim Lum.
Të dyja ekipet shqiptare me pikë të barabarta në renditjen tabelare, pretendente për titullin e kampionit, do të përballen nesër në stadiumin e qytetit të Tetovës në një derbi për vendin e parë të Superligës së Maqedonisë.
Struganët, kampion në fuqi udhëtojnë me ambicie për të marrë tre pikë në Tetovë në një terren të vështirë dhe pranë një publike të zjarrtë. Para derbit, nga radhët e Strugës ka folur kapiteni Bunjamin Shabani.
“Ndeshje shumë me rëndësi, si për ne, po ashtu edhe për Shkëndijën. Është mirë kjo për kampionatin tonë që të ketë kështu ndeshje derbi, e për më tepër ku diskutohet edhe për titullin e kampionit. Në prag të këtij takimi, atmosfera në skuadrën tonë është shumë e mirë, kemi punuar gjatë gjithë javës, e kemi analizuar mjaft mirë kundërshtarin. Të gjithë e dimë se Shkëndija ka një skuadër shumë kualitative, ashtu që nuanca pritet të vendosin fituesin e këtij derbi”, ka thënë Bunjamin Shabani nga FC Struga.
Ndërkohë nga KF Shkëndija, para përballjes me Strugën ka folur Bruno Dita.
“Ndeshjen e presim të qetë, për ne është vetëm ndeshje e rradhës. Nuk duhet ta marrim ndeshjen me eufori. Do të japim maksimumin pasi e dijmë se do të jetë e vështirë dhe s’duhet ta marrim me eufori dhe kështu shpresojmë në fund të fitojmë dhe ta risjellim titullin në Tetovë”, ka thënë Bruno Dita.
Derbi Shkëndija – Struga do të luhet nesër pasditë, duke nisur nga ora 17:00, teksa në të njejtën kohë do të luhen edhe pesë ndeshje tjera.
Shkupi që ka tre pikë më pak se dy pretendentet e tij për titull, në Çair do të pret Brera Strumicën. Voska Sport do të luaj në transfertë në Kavadar ndaj Tikveshit, ndërsa skuadra e Gostivarit do të takohet me Rabotniçkin.
Në dy duelet tjera takohen, Sileksi me Vardarin dhe Makedonija Gjorçe Petrovi me Bregallnicën.