Komuna e Podujevës që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi e ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) për të lidhur kontratë me një kompani për riparimin e disa vagonëve, shkruan Demokracia.com.
Komuna e Podujevës e ka buxhetuar për këtë vit edhe projektin “Ndërtimi i shkollës në fshatin Shajkoc”. Për këtë ndau këtë vit 50 mijë euro dhe 400 mijë i ka paraparë për vitin e ardhshëm.
Në shkurt hapi tender, ku si vlerë të parashikuar të kontratës e ka vendosur shifrën prej 450 mijë eurosh.
Kjo shifër është vendosur në dosje të tenderit dhe në njoftimin për kontratë.
Por, prokurimi i Podujevës e ka rekomanduar për kontratë një kompani që ofertoi ofro 150 mijë euro më shtrenjtë sesa parashikimi i vlerës së kontratës.
Nëse çmimi i kontratës është më i lartë se vlera e parashikuar e tenderit, tregon se autoriteti kontraktues nuk e ka bërë si duhet llogaritjen e vlerës së parashikuar. Për më tepër, Ligji i Prokurimit në këtë rast ka paraparë që të anulohet në tërësi procesi i prokurimit dhe më pas të shtohen mjetet e tjera dhe të hapet tender i ri.
Për kontratë është rekomanduar operatori ”Kompania Prishtina”, me çmim 594,0010. 00 euro.
Neni 62 i Ligjit të Prokurimit flet për “Përfundimin e Aktivitetit të Prokurimit” dhe aty është caktuar qartë se në këtë rast duhet të anulohet procedura e prokurimit.
Autoriteti kontraktues mund të përfundojë atë aktivitet të prokurimit, i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet:
“1.2. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në pikën 1.2 të nenit 62.
Edhe Rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, neni 43 flet për “Ndërprerjen e procedurave të prokurimit”.
“43.7 Procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave mund të anulohet për arsyen e mëposhtme:
të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK. Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”.
Ky është një standard i dyfishtë nga institucionet qeveritare. Kjo ngase para pak muajve, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që drejtohet nga Rozeta Hajdari, ka shpallur tre tenderë të ndryshëm për furnizim me rezerva shtetërore. Përmes tyre do të blihet grurë, produkte të ndryshme ushqimore, batanije e thasë për fjetje.
Por, tashmë dy nga tenderët kanë dështuar. Bëhet fjalë për tenderin për furnizim me grurë dhe me gjëra ushqimore. Njëri edhe pse ka pasur ofertë të përgjegjshme ka dështuar, sepse ka pasur ofertë vetëm për 10 mijë euro më të shtrejtë sesa vlera e parashikuar e kontratës.
Ministria e Tregtisë, siç shihet e kishte eliminuar ofertën e kompanisë “Beni Dona”, që është në pronësi të biznesmenit Ragip Mustafa, i afërt me LDK-në. Ky biznesmen ka ofertuar edhe në tenderin e Podujevës me kompaninë “Olti Trasing” dhe ka pasur çmim më të lirë se operatori i rekomanduar, por oferta e tij është eliminuar si e papërgjegjshme dhe jo se e ka tejkaluar vlerën e parashikuar të kontratës, ndonëse e ka kaluar.
Katër operatorë ka pranuar komuna për këtë tender. Dy nga to kanë qenë më të lira se oferta e rekomanduar. Por, ato janë eliminuar me arsyetimin se kanë bërë gabime aritmetike në paramasë, ku e kanë kaluar këtë gabim më shumë se 2%.
Në garë kanë qenë “Kompania Prishtina”, me çmim 594,010.00 euro.
“Konstruktori Ing. 1969 shpk”, me çmim 584. 961, 76 euro.
“Arad 94” shpk, me çmim 628, 688. 71 euro.
“Olti Trasing”, më ofertë 562, 633.54 euro.
Edhe Ministria e Arsimit në vitin e kaluar e kishte dështuar tenderin për furnizim me libra, anise ishte me negocim, me arsyetimin se ofertat ishin më të larta sesa parashikimi i ministrisë, MASHT ka mundur të zhvillojë negociata për ta ulur çmimin.