Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar fituesin e zgjedhjeve presidenciale nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska-Davkova, duke anashkaluar kështu fituesin e zgjedhjeve parlamentare nga kampi shqiptar – Frontin Demokratik, i udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut, sipas Osmanit, gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe ndajnë një angazhim të fortë për integrimin euroatlantik.
“Mezi pres të punoj me Presidenten e zgjedhur për të arritur këtë qëllim të përbashkët dhe për të thelluar më tej marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, ka shkruar Osmani në platformën sociale, X.
Nga 99.97 për qind të votave të numëruara në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE – fituesja e rundit të parë – ka korrur një fitore të thellë ndaj kundërkandidatit nga radhët e LSDM, Stevo Pendarovski.
Siljanovska-Davkova ka mbledhur plotë 560 mijë e 744 vota, apo 65.15 për qind.
Ndërsa Pendarovski – presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut – ka arritur të grumbullojë vetëm 251 mijë e 755 vota, apo 29.25 për qind.
Ndërsa, në taborin shqiptar fitues është “Fronti Evropian”, me lider Ali Ahmetin, me 19 mandate, duke u renditur forca e dytë me numër mandatesh në nivel republikan, derisa në raport me koalicionin e partive opozitare shqiptare prin me një diferencë prej 30 mijë votash.