38
Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në krye me Përparim Ramën po mundohen të heqin përgjegjësinë për menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet, shkruan Demokracia.com.
Meqë PDK i doli kundër për aferën “Badovci”, LDK-ja vendosi të hakmerrej duke i shkarkuar njerëz në mënyrë të pakoordinuar partnerit të saj të koalicionit qeverisës në Prishtinë. Akuza e parë u hodh mbi Drejtorin e Shërbimeve Publike, i cili ndonëse lavdërohej vazhdimisht nga Rama, atë ditë u shkarkua menjëherë me arsyetimin se nuk po menaxhonte me mbeturinat si duhet. Madje, këto ditë, kryetari Rama ka nxjerr edhe një vendim për shpallje emergjente në kryeqytet për shkak të rrezikut të shpërndarjes së epidemisë nga mbeturinat. Në vendimin e Ramës, pos tjerash, si arsye është përmendur edhe mungesa e madhe e kontejnerëve dhe makinerisë për këto shërbime.Por, kush është përgjegjës për mungesën e këtyre dy komponentëve qenësorë për pastrimin e kryeqytetit?
Demokracia.com ka gjetur se Zyra e Prokurimit, e cila i jep përgjegjësi drejtpërdrejtë kryetarit Përparim Rama ka prolonguar dy tenderë të mëdhenj që kanë të bëjnë me furnizimin me kontejnerë dhe pajisje për pastrimin e kryeqytetit. Rrjedhimisht, zyra e prokurimit në Prishtinë ka tentuar t’i manipulojë të dy tenderët dhe për këtë shkak furnizimi nuk ka mundur të bëhet për disa muaj. Asnjë masë nuk është marrë ndaj prokurimit nga ana e menaxhmentit komunal deri më tani.
Manipulimi i tenderit 1.5 milionëshFillimisht, tenderi “Furnizimi me pajisje për pastrimin e kryeqytetit” është hapur më 13 korrik 2023. Vlera e parashikuar e kontratës është 1.5 milionë euro.
Më 27 tetor 2023, prokurimi i Komunës së Prishtinës e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve “D&T Group” Shpk; “Kosova Motors J.S.C”, me vlerë të ofertës 1,250,800.00 euro. Vendimi është nënshkruar nga menaxheri i prokurimit, Visar Shehu, i cili është vendosur në krye të prokurimit me aktemërim të kryetarit Përparim Rama.
Pas këtij vendimi ka pasur ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Dy kompani e kanë fituar rastin në ‘Gjykatën e tenderëve’, nën pretendimin se Zyra e Prokurimit ka bërë dallavere kur ka rekomanduar për kontratë operatorin e lartpërmendur.Paneli i OSHP-së ia ka miratuar ankesat veç e veç të dy kompanive dhe ka urdhëruar Komunën e Prishtinës që të anulojë vendimin për dhënie të kontratës dhe lëndën ta kthejë edhe një herë në rivlerësim.Komuna e Prishtinës e ka përfillur këtë vendim dhe aktualisht është duke e rivlerësuar tenderin.Çfarë gjeti paneli?Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore dhe administrimit me të gjitha provat në dispozicion të shkresave të kësaj lënde, në të dyja rastet, respektivisht dosjet ankimore, vërehet se të dy ankuesit e kanë atakuar në parim vendimin e AK, posaçërisht në vështrim të kërkesave të përshtatshmërisë, përfshirë: a) përshtatshmërinë profesionale; b) kapacitetin ekonomik dhe financiar; c) lidhur me dokumentet e kërkuara lidhur me këto kërkesa. Mirëpo, duke i analizuar ankesat në rastin konkret, përfshirë edhe mendimet e ekspertëve shqyrtues, Paneli tërhoqi vëmendjen e tij lidhur me faktin se:1.Sipas ankuesit “N.P.T. “Haxhijaha” SHPK, GOE të rekomanduar për kontratë, nuk ka saktësuar modelin e superstrukturës me të cilën ka ofertuar [pa nevojë për t’i përsëritur sërish nga ky aspekt pohimet ankimore] duke e atakuar posaçërisht Vendimin e Komunës në kontekstin e përputhshmërisë së katalogut, në vështrim të pikave 9.1 & 9.2 te FDT.2.Po ashtu edhe ankuesi “Vibtis” në raportin e ekspertit shqyrtues përkitazi me këtë ankesë, pretendohet se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk i ka plotësuar kërkesat e DT duke theksuar se makineritë e ofruara i takojnë dy prodhuesve të ndryshëm, rrjedhimisht nuk është plotësuar kërkesa e kapacitetit teknik, duke theksuar më tej se kompanitë kanë dorëzuar katalog me të dhëna të pasakta që dallojnë nga të dhënat e prodhuesit.Duke marrë parasysh këto gjetje, OSHP-ja e urdhëroi komunën që të bëjë rivlerësimin edhe një herë të këtij procesi.