Ulja e ndjeshme e temperaturave në fund të tetorit ka sjellë reshjet e para të dëborës në zonat e larta malore të Shqipërisë, duke i dhënë veriut të vendit pamje dimërore.
Dëbora ka përfshirë bjeshkët e qarkut të Kukësit, ku temperaturat kanë zbritur disa gradë nën zero. Sipas dëshmive të barinjve që ndodhen në stanet malore, reshjet janë regjistruar në disa zona, ndërsa i ftohti është ndier dukshëm gjatë ditëve të fundit.
Sipas çobanit Ekrem Onuzi, reshjet kanë zbardhur bjeshkët e Gjalicës, në zonën e njohur si Sasat, në një lartësi prej 1 530 metrash mbi nivelin e detit. Dëborë është regjistruar edhe në territore mbi 1 000 metra lartësi, duke mbuluar me të bardhë disa fshatra të Kukësit, përfshirë Shishtavecin.
Reshjet e para të sezonit janë shënuar gjithashtu në bjeshkët dhe majat e larta të Valbonës, në Tropojë, ku temperaturat e ulëta kanë shoqëruar ardhjen e dëborës.
Ndërkohë, në zonat e ulëta dhe në qytetet Kukës, Krumë e Bajram Curri, moti i ftohtë është shoqëruar me reshje shiu dhe mjegull, duke sinjalizuar afrimin e dimrit.
Pavarësisht temperaturave nën zero dhe reshjeve të dëborës në lartësi, deri më tani nuk raportohen probleme në zonat e prekura. Sipas informacioneve të fundit, situata meteorologjike paraqitet e qetë dhe aktualisht nuk ka reshje në zonat e larta malore.