41
Ish-ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, ka deklaruar se Serbisë do t’i kthehej në bumerang çdo lloj “aventure ushtarake” në territorin e Kosovës, pasi siç ka thënë Quni, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe NATO-ja janë të gatshme dhe të përgatitura për çka do që nevojitet.
Sipas tij, FSK-ja është e pajisur me armatim të gjeneratës së fundit dhe sipas tij, pajisjet ushtarake i ka të njëjta me të atij lloji që i përdorin Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
“Shtetet që bëjnë reforma, e ato që kanë pasur sistem të Lindjes si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë vështirësi (për reformim) sepse kanë mjete të prodhimit të viteve të 70-ta dhe të 80-ta. Çdo gjë që përdoret nga FSK-ja është analoge me pajisjet që i përdorin shtetet më të zhvilluara…Çfarë do ndërhyrje konvencionale apo klasike, ndonjë inkursioni brenda territorit të Kosovës, do të ishte aventurë që shumë shpejt do t’i kthehej në bumerang autoriteteve të Beogradit apo ushtrisë së Serbisë”, ka thënë Quni të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ushtria e Serbisë është më e madhja në Ballkan me trupa dhe armatim të rëndë, por kjo sipas tij, nuk duhet të shkaktojë frikë apo panik.