TIRANA- Një 36-vjeçar shqiptar i arrestuar në Kinë si pjesë e një grupi kriminal që futën atje 1 ton kokainë, rrezikon dënim kapital. Familjarët e të riut shqiptarë i kanë apeluar për ndihmë qeverisë shqiptare për ndërhyrje për ta shpëtuar pasi sipas tyre 36-vjeçar me inicialet K.K., nuk ka një rol parësor dhe udhëheqës në grupin e të arrestuarve të akuzuar për futjen në Kinë të 1 ton kokainë. Top Channel bazuar në të drejtën e Informimit Publik pyeti Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme nëse kjo çështje a është diskutuar sot mes ministrit Igli Hasani dhe të Dërguarin e Posaçëm të Qeverisë kineze për Çështjet Evropiane, Wu Hongbo?
“Në përgjigje të kërkesës tuaj ju bëjmë me dije se, gjatë takimit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani i përcolli të Dërguarit të Posaçëm të Qeverisë kineze për Çështjet Evropiane, Wu Hongbo, ndjeshmërinë e lartë që ka për qeverinë shqiptare dhe opinionin publik, gjykim që po zhvillohet në Gjykatën Popullore të Nivelit të Mesëm në qytetin e Guangzhou (Provinca Guangdong), në ngarkim të shtetasit shqiptar. Duke kërkuar respektim të të gjithë të drejtave të shtetasit në fjalë, në të gjitha shkallët e procesit gjyqësor, pala shqiptare i kërkoi autoriteteve kineze të evitohet aplikimi i dënimit kapital”, thuhet në përgjigje.
MEPJ në emër të qeverisë shqiptare tregon se kërkesë i është përcjellë me herët edhe Ministrit të Jashtëm të Republikës Popullore të Kinës, nga homologu i tij shqiptar përmes një letre zyrtare. Po ashtu MEPJ thekson në fund të përgjigjesse do të vazhdojë të ndjekë me prioritetin maksimal këtë çështje.