Një nga të plagosurit e protestës së 21-janarit, 36-vjeçari Artes Dybeli, për plagosjen e të cilit SPAK ka nisur edhe hetimet, ka folur për News24 në një intervistë për gazetarin Igli Çelmeta, për ditën e ngjarjes. Ai tregon se si mbeti i plagosur 13 vite më parë në protestën e 21 Janarit ku mori dy plumba dhe shpëtoi mrekullisht edhe pse predha i kaloi tej për tej në qafë. Ai shprehet se nuk ka gjetur drejtësi gjatë këtyre viteve.
“13 vite pritje, 13 vite shpresë, shpresoj se i erdhi fundi dhe besoj fort që spak do të zbardhë të vërtetën dhe do të vendosë drejtësi për ne të plagosurit dhe ata që kanë ndërruar jetë. Unë po kaloja rastësisht pranë Bulevardit, ndalova, pashë se çfarë po bëhej. Isha pranë kullave binjake kur u qëllova nga dy plumba, një në qafë dhe një në shpatull. U shtriva në tokë”, rrëfen Dybeli.