Kanale pro-ruse në Telegram kanë publikuar imazhe të shkatërrimit të një tanku Abrahams të ushtrisë ukrainase nga dronët kamikaz. Kohët e fundit, në rrjetet sociale janë publikuar video të tjera që tregojnë tipe të ndryshme të automjeteve të blinduara ukrainase të shkatërruara nga dronët me kabëll optik, një armë e re në luftën e Ukrainës, praktikisht një dron kamikaz i drejtuar me një kabëll fibrash optike, që nuk mund të bllokohet.
Në pamjet e publikuara shihet se tanku Abrahams ukrainas ishte i pajisur me blindim shtesë, të përbërë nga “paketa” blindimi reaktiv të montuara në shasi dhe anët, si dhe me një “kafaz” metalik mbi turele për të detonuar para kohe dronët kamikaz.
Trupat ukrainase që përdorin tanket Abrahams të dorëzuara nga SHBA janë ankuar se këto automjete amerikane kanë disa pika të dobëta dhe defekte, duke vënë në dyshim dobishmërinë e tyre në vijën e frontit që ndryshon vazhdimisht në luftën e Ukrainës. Kështu, tanku Abrahams është bërë “objektivi kryesor” i sulmeve ruse, sipas ushtarëve ukrainas.
Deri më tani, ukrainasit kanë humbur 19 nga 31 tanket Abrahams të furnizuara nga ushtria amerikane, sipas faqes së internetit Oryx, e specializuar në monitorimin dhe identifikimin e automjeteve të luftës së shkatërruara, dëmtuara ose braktisura në luftën ukrainase.
Në total, sipas këtyre informacioneve nga burime të hapura, ukrainasit kanë humbur mbi 1,000 tanke (nga të cilat mbi 700 janë shkatërruar plotësisht). Nga këto, 58 tanke gjermane Leopard 2, dy tanke britanike Challenger dhe 19 Abrahams janë shkatërruar ose dëmtuar.
Në krahasim, rusët kanë humbur mbi 3,700 tanke, nga të cilat mbi 2,600 janë shkatërruar plotësisht. Prej tyre, mbi 120 tanke të shkatërruara ose të dëmtuara janë të tipit T-90M, arma më moderne e këtij lloji në arsenalin e Rusisë, e konsideruar si një “rival” i tankut amerikan Abrahams.