UNFPA në Kosovë, në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), kanë prezantuar gjetjet e Indeksit të Plakjes Aktive, duke theksuar rëndësinë e promovimit të plakjes aktive në vend, raporton Ekonomia Online.
Ky indeks, i pari i këtij lloji në Kosovë, synon të matë mundësitë dhe sfidat me të cilat përballet popullsia mbi moshën 55 vjeç, duke ndihmuar politikëbërësit në hartimin e strategjive efektive.
Indeksi i publikuar shpalosi sfidat në disa fusha, përfshirë punësimin dhe arsimin, ku Kosova shfaq një hendek të theksuar gjinor dhe mesatarisht përformon më dobët se vendet e BE-së.
Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e Zyrës së UNFPA në Kosovë, ka thënë se Indeksi do t’iu mundësoj politikbërësve që t’i identifikojnë përparësitë dhe boshllëqet në politikat që lidhen me të moshuarit, duke nxitur stare gji që sigurojnë përfshirjen dhe mbështetjen për ta.
“Një nga sfidat është trendi i plakjes globale. Njerëzit sot jetojnë me gjatë dhe më shëndetshëm se kurrë me parë. Me jetëgjatësinë në gjysmën e vendeve të botës që kalon mbi 75 vjet. Kosova e njohur për popullatën e saj vibrante dhe rinore nuk është e përjashtuar nga trendi i plakjes. Të dhënat nga cenzuesi i viti 2024 tregojnë se 11 për qind e popullsisë së Kosovës është mbi moshën 65 vjeç. Ky kalim po ndodh me shpejt se sa pritje duke kërkuar vëmendje të menjëhershme dhe proaktive. Kjo nënvizon nevojën urgjente për të forcuar sistemet e kujdesit për të moshuarit, duke përfshirë masat e tilla si politikave të përshtatshme demografike, adresimin e mungesës së kujdestareve, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të moshuarve. Duke njohur këto nevoja kemi zhvilluar indeksin e plakjes aktive, një mjet që mat se në çfarë mase të moshuarit mund të jetojnë në mënyrë të pavarur, të kontribuojnë në komunitetin e tyre dhe të ruajnë një cilësinë e lartë jetësore. Indeksi mundëson që politikbërësit t’i identifikojnë përparësitë dhe boshllëqet në politikat që lidhen me moshimin duke nxitur strategji që sigurojnë përfshirjen dhe mbështetjen për të moshuarit”, ka thënë ajo.
Selvete Shala nga Shoqata e Pensionistëve, ka thënë se si pensionist janë me shëndet të mirë dhe mund të japin më shumë për komunitete e tyre, por që ju duhet më shumë ndihmë nga institucionet shtetërore.
“Ne kemi nevojë për shumë jo vetëm për pension. Ne jemi me shëndet të mirë, mund të japim më shumë, unë jam gjyshe e 13 nipave e 7 mbesave nuk ndalna kurrë. Shoqatën e pensionistëve duhet ta ndihmojnë me të gjitha”, ka thënë ajo.
Albert Berila, hulumtues nga Universiteti i Prishtinës (UP), ndau gjetjet kryesore të indeksit i cili analizoj situatën e popullsisë mbi 54 vjeç në katër fusha kryesore.
Ai theksoi se te fusha e punësimit, hendeku gjinor në Kosovë është shumë i lartë – 22.4 për qind Sipas tij burrat e të gjitha moshave janë të punësuar në një përqindje më të lartë se gratë.
Te pjesëmarrja në shoqëri, ai tha se ekziston një nënvlerësim i kësaj fushe si pasojë e mungesës së 2 variablave dhe se hendeku gjinor është i shprehur në -13.6 për qind.