Fundjava e fundit e qershorit ka shënuar lëvizje të shumta automjetesh dhe udhëtarësh në pikën e kalimit kufitarë të Morinës. Numri më i madh i lëvizjes ka qenë në orët e mëngjesit të së shtunës ku në Shqipëri kanë hyrë së paku 10 mijë qytetarë të Kosovës, për të kaluar fundjavën në bregdetin shqiptar. Kjo shifër është rekord që prej nisjes së sezonit veror.
Sipas informacioneve, se numri i udhëtarëve që qarkullojnë përmes Morinës është dyfishuar krahasuar me të shtunën e kaluar.
Pavarësisht fluksit të madh, në doganën e Morinës, nuk janë vërejtur radhë të gjata. Kjo edhe për faktin e zbatimit të marrëveshjes mes dy qeverive sipas të cilit për të gjithë automjetet e Shqipërisë dhe Kosovës, aplikohet kalimi pa kontrolle. Fluksi i lëvizjes në dy anët e kufirit të përbashkët Shqipëri-Kosovë pritet të jetë në rritje gjatë korrikut dhe gushtit.
Ndërkohë, pavarësisht qarkullimit në rritje në akset rrugore që lidhin dy vendet, deri më tani nuk janë shënuar aksidente të rënda.
Në kuadër të sezonit veror policia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nga 1 korriku nisin patrullime të përbashkëta në akset kryesore që të dërgojnë drejt bregdetit shqiptar. Këto patrullime do të jenë në shërbim të qytetarëve të të dyja vendeve. Patrullimet e përbashkëta të Kosovës dhe Shqipërisë kanë nisur shumë vite më parë dhe realizohen gjatë sezonit veror.