Sot janë bërë gjashtë vjet nga dita kur Kuvendi i Kosovës miratoi përfundimisht tri ligjet, me të cilat u mundësua transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.
Me këtë rast, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar në Facebook se Ushtria e Kosovës ka dëshmuar se është një forcë e përkushtuar dhe profesionale të shërbejë edhe përtej kufijve tonë, e gatshme për të kontribuuar për paqe e siguri kudo në botë.
Postimi i tij:
14 dhjetori i vitit 2018 ishte një moment historik për vendin – dita kur Kosova krijoi Ushtrinë e saj, e gatshme për t’u rreshtuar në krah të ushtrive të paqes dhe lirisë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.
Sot, gjashtë vjet pas, Ushtria e Kosovës ka dëshmuar se është një forcë e përkushtuar dhe profesionale të shërbejë edhe përtej kufijve tonë, e gatshme për të kontribuuar për paqe e siguri kudo në botë.
Objektivi ynë strategjik afatshkurtër mbetet anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional, dhe këtë rrugë do ta ndjekim me përkushtim dhe partneritet të ngushtë me aleatët tanë strategjikë. Në këtë përvjetor po e rikthej në vëmendjen tuaj, një fjalë time nga zemra, ditën kur u formua Ushtria.
Mirënjohje e përjetshme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për Sekretarin James Mattis!