Në konferencën e dytë Pharma Horizon 2025 ku u diskutua “Rikonceptimi i kujdesit shëndetësor me një Vizion për një Shqipëri më të Shëndetshme” u bënë bashkë gjithë aktorët e industrisë farmaceutike dhe sistemit shëndetësor në vend.
Në tre panele diskutimesh dhe me pjesmarrjen e ministreve Albana Koçiu dhe Delina Ibrahimaj u theksua nevoja e bashkëpunimit
Kreu i Unioniti të Biznesit Farmaceutik, Dorian Sadiku rendititi disa nga shqetësimet e sektorit, duke pasur në fokus pacientin
“E para, ka të bëjë me respektimin e afateve kohore. Afatet kohore janë jetike për planifikimin e bizneseve dhe për sigurimin e disponueshmërisë së barnave.
Vonesat kontribuojnë drejtpërdrejt në mungesa të barnave dhe cënojnë kujdesin ndaj pacientëve.
Respektimi i tyre nuk është luks, por domosdoshmëri jetike. E ripërsëris, një treg i kufizuar si Shqipëria është tmerrësisht e vështirë që të bëhet tërheqës për kompanitë e mëdha farmaceutike.
Përballë tyre ne mund të fitojmë kredibilitet vetëm duke afruar besueshmëri, siguri e profesionalizëm”,
Varësia nga sistemi i prokurimeve është një tjetër shqetësim.
“Barnat nuk janë mallra të zakonshme. Trajtimi i tyre si mall i zakonshëm duke u mbështetur vetëm te sistemi i prokurimeve, thjeshtëzon një çështje shumë komplekse.
Prokurimi, mund të jetë një pjesë e zgjidhjes, por nuk mund të jetë e vetmja mënyrë për menaxhimin e nevojave në shëndetësi”,
Presideti i Shoqatës Shqiptare të Përfaqësuesve Farmaceutikë, Kliti Hoti u ndal te trajtimet inovative
“Këto investime përmirësojnë shëndetin dhe mirëqenien e gjithë shoqërisë shqiptare. Trajtimet inovative jo vetëm që ulin kostot afatgjata, por ndihmojnë në ndërtimin e një force pune më të shëndetshme dhe më produktive, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Shqipëria ndodhet në një udhëkryq dhe duke mësuar nga praktikat më të mira të BE-së dhe duke investuar në terapi inovative dhe zgjidhje digjitale shëndetësore, sfidat shëndetësore mund të transformohen në mundësi
Drejtuesi në detyrë i zyrës së OBSH në Tiranë, Gazmend Bejtja, gjatë konferencës përcolli rekomandimin e dikasterit më të lartë shëndetësor për rritje të financimit publik.
“Sa më shumë të shtohet financimi publik për shëndetësinë aq më të pakta janë shpenzimet nga xhepi, aq më të pakat janë shpenzimet rrënues për ekonomitë familjare”.
Ai theksoi se në Shqipëri jemi diku tek 3,3% i GDP, cili është më i ulët se mesatarja e BE dhe rekomandimi i OBSH-së është të shkojë të paktën 4,5% e GDP