Shtetet e Bashkuara po punojnë për një marrëveshje me Fixhin që mund të lejojë trupat amerikane të forcojnë praninë e tyre në shtetin ishullor të Paqësorit Jugor, tha të shtunën sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin, raporton AFP..
Austin, i cili mbërriti në Nadi në ishullin kryesor të Fixhit të premten, tha se negociatat kishin filluar për një marrëveshje dypalëshe të “statusit të forcave” me Ishujt Fixhi, një instrument ligjor që përcakton rregullat që zbatohen për personelin ushtarak që punon në një vend të huaj.
Marrëveshja do të hapë rrugën për “shtim të stërvitjeve” dhe “angazhimeve ushtri-ushtarake”, tha Austin, sipas një video regjistrimi të komenteve të tij për gazetarët.
Kreu i Pentagonit sqaroi megjithatë se “nuk ka pasur diskutime” në lidhje me instalimin e një baze të përhershme ushtarake në arkipelag.
Shtetet e Bashkuara kanë lidhur marrëveshje të ngjashme me më shumë se 100 vende, sipas Departamentit Amerikan të Shtetit.
Lloyd Austin është ministri i parë i Mbrojtjes në detyrë që shkon në Ishujt Fixhi. Vizita e tij zyrtare dy-ditore përfundon një turne Azi-Paqësor që ka përfshirë vizita në Australi, Filipine dhe Laos.
Në Fixhi, Shtetet e Bashkuara duan të kundërshtojnë ndikimin e Kinës, veçanërisht në fushën ushtarake.
Edhe pse me popullsi të rrallë, ishujt e Paqësorit janë një qendër jetike për tregtinë, transportin detar dhe burimet natyrore, ku Kina ka konsoliduar ndikimin e saj rajonal përmes investimeve, tregtisë dhe presionit diplomatik.
Kryeministri i Fixhit Sitiveni Rabuka, një ish-kolonel, tha se vizita e Lloyd Austin shënoi një “moment historik në marrëdhëniet SHBA-Fixhi”.
“Ne të gjithë lutemi që kjo vizitë të mos jetë një shenjë e viteve të rrezikshme në vazhdim”, tha ai, i veshur me një kravatë në ngjyrat e flamurit amerikan.