Kukësi ka nisur javën anti Vora, me shpresën që të bëjë sërish surprizën, pasi ndalën Flamurtarin dhe dolën me një pikë nga fusha. Trajneri Alfred Allamani është duke punuar si në aspektin psikologjik, edhe në atë taktik në fushë, duke qenë se kampionati ka hyrë në një fazë delikate dhe duhet përgatitje në të gjitha aspektet.
Me pak fat, nga përballja me vlonjatët mund të dilnin edhe me tri pikët, nisur nga paraqitja që bënë. Paraqitja e fundit duket se e ka shtuar “oreksin” e kuksianëve për të dalë me pikë edhe nga transferta me kryesuesit këtë fundjavë. Edhe morali është më i lartë tani, pasi i dhanë fund ecurisë negative të humbjeve radhazi në kampionat. Në situatën ku janë aktualisht verilindorët, çdo pikë u bën punë, sidomos kur ajo merret ndaj ekipeve pretendente, që shihen si një “bonus” në krahasim me rivalët.
Për këtë arsye, kuksianët janë të motivuar për të bërë më të mirën edhe këtë javë, për më tepër që nuk do të kenë as presion mbi supe. Në dy sfidat e para mes këtyre skuadrave, Kukësi ka dalë pa pikë, por gjithsesi këtë herë besojnë se mund të bëjnë surprizën, edhe për faktin se lojtarët e afruar kanë nisur të integrohen si duhet me pjesën tjetër të grupit, si dhe janë një forcë më shumë në krahasim me javët e para.