Këshilli për Bashkëpunim me dhe Zhvillim të Shoqërisë Civile është organ këshillimor i qeverisë, qëllimi i të cilit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i nevojshëm në një shoqëri demokratike, është themeluar me vendim të qeverisë në vitin 2016, i cili është publikuar në ueb-faqen e Këshillit. Mirëpo, që nga viti 2022, anëtarët e tij nuk janë mbledhur dhe organi nuk funksionon, dhe për pasojë, për të dytin vit me radhë, bashkëpunimi dhe lidhja e institucioneve me qytetarët përmes këtij organi po ngec, deri në skadimin e mandatit të tij më 30 korrik të vitit 2024, shkruan Meta, transmeton Portalb.mk.
Pse është i rëndësishëm funksionimi i një organi të tillë në shoqëri?
Cili është roli i tij? Pse anëtarët e tij nuk kanë mbajtur mbledhje që nga viti 2022?
Si të fillojë të funksionojë këshilli dhe në fund të fillojë dhe të ndërtohet bashkëpunimi mes Qeverisë dhe sektorit civil, në interes të qytetarëve?
Dy vite bojkot
Sipas vendimit të rishikuar për themelimin e Këshillit, në këtë organ duhet të ketë 15 përfaqësues të administratës shtetërore, si dhe 16 anëtarë të emëruar nga Qeveria, të cilët janë zgjedhur përmes thirrjes publike, me propozimin e organizatave të regjistruara sipas Ligjit për Shoqatat dhe Fondacionet. Qëllimi i ekzistencës së Këshillit është i qartë – avancimi i dialogut ndërmjet qeverisë dhe organizatave, gjë që do ta inkurajonte edhe zhvillimin e sektorit civil. Megjithatë, realiteti është ndryshe. Nuk ka zhvillim të atij bashkëpunimi, e gjithçka filloi pasi qeveria e kaluar e shkurtoi buxhetin dhe paratë për organizatat e shoqërisë civile ia dha Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive, e cila në atë periudhë drejtohej nga Artan Grubi.
Snezhana Kamillovska Tërpovska nga Qendra Ndërkombëtare për Bashkëpunim Ndërkombëtar, si ish-anëtare e këtij organi, për Meta.mk shpjegon se çfarë ka ndodhur.
“Këshilli për Bashkëpunim, një vit pas themelimit në mandatin e dytë, pushoi së punuari, gjegjësisht kaloi në bojkot në vitin 2022. Fatkeqësisht, në fillim të vitit 2022, u pa se perceptimi i qeverisë së atëhershme ishte se ky organ ishte më tepër proforma, kështu që nuk përfshihej në vendimet kyçe për zhvillimin e shoqërisë civile. Në fakt, me miratimin e buxhetit të atëhershëm, u shkurtuan krejtësisht mjetet për organizatat e shoqërisë civile nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë, pa asnjë konsultim, dhe ui transferuan Ministrisë së atëhershme të Sistemit Politik. Në fakt, në një situatë kur duhej të diskutohej për rritjen e financimit shtetëror të organizatave të shoqërisë civile, siç ishte paraparë edhe në programin e qeverisë, u përballëm me reduktim të mjeteve. E as për reformë reale, as që bëhej fjalë” – thotë Kamillovska Tërpovska.
Snezhana Kamilovska-Tërpovska, anëtare e Komisionit për selektim të përbërjes së Antikorrupsionit. Foto nga profili i saj në Facebook
ërkundër kërkesave të atëhershme drejtuar qeverisë, edhe atë në nivelin më të lartë për të mbajtur një mbledhje dhe për t’i tejkaluar sfidat, takimi nuk u zhvillua.
“Kjo situatë ka bërë që anëtarët e Këshillit nga radhët e organizatave të shoqërisë civile të bojkotojnë për gati dy vjet. Para bojkotit, Këshilli mbante mbledhje të rregullta ku diskutonte çështje si Strategjia për Zhvillim, çështje që kanë të bëjnë me financimin e organizatave, afirmimin e tyre. Qëllimi i këtij organi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i nevojshëm në një shoqëri demokratike. Në këtë mënyrë tregohet gatishmëria e shtetit për diskutim dhe konsultim real me shoqërinë civile për çështje me rëndësi për zhvillimin e shoqërisë dhe gatishmëria për të marrë vendime në një proces transparent dhe konstruktiv”, thotë Kamillovska Tërpovska.
Ajo thekson se funksioni i këtij organi është të përmirësojë gjendjen e shoqërisë civile në vend dhe të tregojë se është një partner i vërtetë në krijimin e politikave që lidhen me zhvillimin e shoqërisë.
“Mu për këtë, edhe në dy raportet e fundit të BE-së për progresin e vendit, si vërejtje është shënuar mosfunksionimi i Këshillit si organ që duhet të jetë urë lidhëse ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe Qeverisë” – shton ajo.
A ka sfida që duhet të kapërcehen me qeverinë e re?
Derisa anëtarët e shoqërisë civile në Këshill e bojkotuan punën, u krijua përshtypja se procesi i reformimit të modelit të financimit shtetëror të shoqërisë civile u ndërpre. A ka sfida me qeverinë e re që duhet të kapërcehen për të krijuar një Këshill të ri dhe për të përshpejtuar procesin e miratimit të një modeli të ri për financimin shtetëror?
“Përkundër faktit se për këtë çështje ka pasur një grup punues aktiv (i formuar përmes një procesi gjithëpërfshirës), janë dhënë propozime, megjithatë ende asgjë s’ka lëvizur nga vendi dhe akoma nuk janë bërë ndryshime në Ligjin për Shoqata dhe Fondacione. Të gjitha këto janë sfida me të cilat po përballet qeveria e re, por pritshmëritë e organizatave të shoqërisë civile janë të njëjta. Të shohim një proces transparent për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit, të cilëve tashmë u ka përfunduar mandati. Ky organ duhet të ketë një funksion real dhe të jetë aktiv në përpjekjet për zhvillim. Së fundi, të vazhdojë me punë grupi i punës për modelin e financimit shtetëror dhe Ligjin për Shoqatat dhe Fondacionet, për të nisur sa më shpejt reformat reale. Për të gjitha këto shpresojmë se në Programin e qeverisë do të shohim angazhime reale dhe afate që do të respektohen”, thekson Kamillovska Tërpovska.
Për këtë temë biseduam edhe me Uranija Pirovskën, Drejtoreshë ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.
“Në mars të vitit 2022, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile në Këshillin e Bashkëpunimit vendosën ta bojkotojnë punën e këtij organi. Arsyeja ishte se qeveria, pa konsultime dhe pa e informuar Këshillin, vendosi që mandatin për ndarjen e parave buxhetore për sektorin joqeveritar t’ia kalojë Ministrisë së Sistemit Politik, por arsyeja kryesore ishte mënyra se si u bë kjo. Deri atëherë, paratë e destinuara për sektorin civil lidhur me prioritetet e Qeverisë, shpërndaheshin nga Sekretariati i Përgjithshëm në bazë të një programi të miratuar më parë të përgatitur nga Këshilli, gjegjësisht bashkërisht nga përfaqësuesit e qeverisë dhe të sektorit civil. Problemi me vendimin e marrë në seancën e qeverisë së datës 27 shtator 2022 ishte se ai u mor pa asnjë konsultim me Këshillin”,- thotë Pirovska.
Buxheti i shkurtuar e zemëroi sektorin e OJQ-ve
Problemet janë ndjerë edhe më herët, shton Pirovska, kur në buxhetin e vitit 2022, i cili u dërgua për diskutim parlamentar, u pa se nuk ka para për organizatat joqeveritare.
“Më 30 janar të vitit të kaluar kërkuam takim me kryeministrin e atëhershëm Dimitar Kovaçevski, në një komunikatë për publikun theksuam se puna e Këshillit u pamundësua me injorimin e rekomandimeve dhe konkluzioneve të saj kryesore nga ana e qeverisë, që është kompetencë e saj themelore. si organ këshillimor i qeverisë. Funksionimi i Këshillit e ngriti në një nivel më të lartë financimin e sektorit civil, ndërsa reforma e propozuar në financimin e organizatave të shoqërisë civile hyri në programin e qeverisë. Këshilli punonte me një vendosje horizontale që ishte rekomandim i Brukselit, për mbrojtjen dhe pavarësinë e tij më të madhe. Në raportet e Komisionit Evropian, formimi dhe puna e Këshillit u vlerësua pozitivisht, por më e rëndësishme është që sektori civil është dhe duhet të mbetet partner i qeverisë në zbatimin e aktiviteteve dhe politikave që janë në interes të qytetarëve”, shton Pirovska.
Qeveria: Anëtarëve u ka përfunduar mandati, do të zgjidhen të rinj
Mandati i anëtarëve të Këshillit zgjat 3 vjet. Mandati i tyre skadoi në korrik të këtij viti dhe tani duhet të zgjidhen anëtarë të rinj. Meta pyeti në Qeveri se kur duhet të bëhen zgjedhjet që Këshilli të mund të funksionojë sërish.
“Mandati trevjeçar i anëtarëve të Këshillit për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë dhe Shoqërisë Civile ka përfunduar më 30 korrik të këtij viti. Tani duhet një procedurë për ndryshimin e Vendimit për themelimin e Këshillit, për shkak të nevojës për harmonizim të Ligjit për Organizimin dhe Punën e Organeve të Administratës Shtetërore, përkatësisht me ndryshimin e ministrive. Pastaj, Sekretariati i Përgjithshëm do të shpallë thirrje publike për zgjedhjen e 16 anëtarëve të Këshillit nga radhët e organizatave të shoqërisë civile”, na thanë nga atje.
Në programin e punës së qeverisë për periudhën 2024-2028 është vendosu një përmbajtje e shkurtër për bashkëpunimin me sektorin civil. Aty thuhet se qeveria do të sigurojë para për të mbështetur organizatat e shoqërisë civile që aplikojnë dhe janë fituese të projekteve nga fondet evropiane dhe fonde të tjera. Në program thuhet gjithashtu se do të zbatohet një reformë gjithëpërfshirëse e sistemit të sponsorizimit të organizatave që kryejnë veprimtari publike, si dhe thuhet se Qeveria do të organizojë Konferencën Vjetore të organizatave të shoqërisë civile.