Të martën, Paneli i Gjykatës së Apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës shqiptoi dënimet individuale ndaj z.Mustafa për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme prej tetë, 13 dhe 15 vjet burgim si dhe ia shqiptoi dënimin e njësuar prej 15 vite burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.
Paneli i Apelit përbëhej nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Paneli nxori vendimin e tij lidhur me përcaktimin e ri të dënimit të z. Mustafa në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores. Vendimi ka ndjekur udhëzimet e vendimit të Panelit të Gjykatës Supreme të datës 29 korrik 2024, lidhur me kërkesën e z. Mustafa për mbrojtjen e ligjshmërisë, i cili anuloi dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim dhe ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit.
Pra sipas vendimit të fundit të Apelit, “Calit” i kanë mbetur të vuaj edhe 11 vjet burgim, por a pritet që në fund të vuajtjes së dënimit atij t’i hiqet edhe një pjesë e burgimit?
Avokati Ardian Bajraktari në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se falja është kompetencë kushtetuese e presidentit/es se shtetit e përcaktuar me nenin 84, paragrafi 29 të kushtetutës, sipas të cilës theksohet se Presidenti i Republikës së Kosovës shpall falje individuale, në pajtim me ligjin, kurse çështja e të drejtës për të kërkuar faljen, kriteret dhe procedura, janë të rregulluara me Ligjin për falje të miratuar në vitin 2009.
Me falje personit të caktuar me emër u jepet lirimi i plot ose i pjesërishëm nga ekzekutimi i dënimit, zëvendësimi i dënimit me një dënim më të butë apo dënimi me kusht ose shlyerja e dënimit.
Por sipas avokatit Bajraktari, neni 51 i Ligjit për Dhomat e Specializuara, bije ndesh me kushtetutën dhe kompatencat e institucionit te presidentit. Ky nen përcakton se vendimet e Dhomave të Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë faljeje dhënë sipas nenit 84 (29) të Kushtetutës, apo ndonjë person i dënuar nga Dhomat e Specializuara, pavarësisht se ku e shërbejnë dënimin e tyre.
Historiku i çështjes
Salih Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.
Më 16 dhjetor 2022, Trupi Gjykues shqiptoi aktgjykimin dhe e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Kur shqiptoi vendimin, Trupi Gjykues nënvizoi se akuzat në këtë çështje gjyqësore kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të z. Mustafa. Duke vënë në dukje se viktimat në këtë çështje janë shqiptarë kosovarë, Trupi Gjykues gjithashtu theksoi se “përpjekjet e tyre për të gjetur drejtësinë dhe të vërtetën janë thelbi i këtij procesi”.
Më 6 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi z. Mustafa të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj tetë viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje. Z. Mustafa e apeloi vendimin e shkallës së parë dhe dënimin e dhënë nga Trupi Gjykues.
Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi kundërshtimet e paraqitura nga z. Mustafa që kundërshtonin Aktgjykimin e Trupit Gjykues, ndërsa miratoi pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit. Rrjedhimisht, Paneli i Apelit zvogëloi dënimin e njësuar të z. Mustafa nga 26 në 22 vjet burgim.
Z. Mustafa kundërshtoi aktgjykimin e Gjykatës së Apelit duke parashtruar kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë para Panelit të Gjykatës Supreme.
Më 29 korrik 2024, Paneli i Gjykatës Supreme e miratoi pjesërisht kërkesën e tij dhe anuloi pjesën e aktgjykimit të apelit që ka të bëjë me dënimin e z. Mustafa me 22 vjet burgim. Paneli i Gjykatës Supreme ia ktheu çështjen përsëri Panelit të Apelit në përputhje me rregullën 194(1)(b) të Rregullores, për të shqyrtuar uljen e dënimit bazuar në arsyetimin e paraqitur në vendimin e Panelit të Gjykatës Supreme.