Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, Bedri Hamza ka folur pas dështimit të nismës për të patur zgjedhje të parakohshme përmes një marrëveshjeje të të gjitha forcave politike.
Hamza tha se pret që zgjedhjet të jenë në afat të rregullt ligjor.
Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 26 janar e 16 shkurt 2015.
“Edhe veprimet të cilat janë duke ndodhur, të cilat i biseduam, më tepër po bëhen për efekte elektorale. Përndryshe, bëjnë veprime, marrin inisiativa, ngrenë tema, përse nuk po i bëjnë? Le t’i bëjnë. Zgjedhjet në afat të rregullt. Presidentja e vendit i ka ftuar partitë politike në konsultime dhe si data të mundshme janë datat me 26 janarit dhe 16 shkurtit.”, u shpreh ai.
Hamza tha se PDK pret që Presidentja, Vjosa Osmani të dalë me një datë të saktë për mbajtjen e zgjedhjeve, në një afat të rregullt.
“Ka patur një iniciativë që në Kosovë të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Realisht partia në pushtet ka deklaruar se është e gatshme, por në fund kur ne si Parti Demokratike kemi dhënë mbështetjen për shpërndarjen e Kuvendit ka patur një hezitim, një mos gatishmëri nga partia në pushtet që të shkohet në zgjedhje të parakohshme që kanë qenë të planifikuara në qershor apo në fillim të korrikut. Prandaj ne presim që zgjedhjet të jenë në afat të rregullt ligjor, kushtetues.”, u shpreh ai.
Hamza theksoi se PDK është duke u përgatitur që kurdo që mbahen zgjedhjet të dalin me rezultat shumë të mirë.
“Jemi duke u përgatitur që të dalim sa më mirë në zgjedhje dhe jemi optimist që do të kemi rezultat të mirë.”, tha Hamza.