Ministria e Punëve të Jashtme të Francës përmes një reagimi kanë thënë se dënojnë ashpër shumëfishimin e veprimeve të njëanshme të institucioneve të Kosovës në veri.
Reagimi i Francës vjen pasi autoritetet e Kosovës i kanë ndërmarrë disa veprime gjatë kësaj jave në veri të vendit, pjesë e banuar me shumicë serbe, të cilat janë kundërshtuar nga Serbia dhe serbët e Kosovës, si dhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Sipas komunikatës, “këto veprime rrezikojnë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë para realizimit të perspektivës evropiane të dy vendeve”.
“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i ri i njëanshëm, i cili do të kontribuonte më tej në përshkallëzimin e tensioneve. Franca inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, nën kujdesin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të përparojnë në zbatimin e marrëveshjes Bruksel-Ohër”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Francës, transmeton Telegrafi.
Ky reagim i Francës vjen në vazhdën e reagimeve nga partnerët ndërkombëtarë të vendit që kanë kundërshtuar veprimet e fundit të Qeverisë në pjesën veriore të vendit.
Këto veprime përfshijnë mbylljen e 9 pikave ilegale të Postës së Serbisë, e më pas edhe vendimin për të testuar Urën e Ibrit, e cila sipas Qeverisë, duhet të hapet.