Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë një tender për shërbime të transportit ajror, furnizim me aviobileta. Pesha e këtij tenderi ka vlerën e hiç më pak se 684 mijë euro.
Donika Gërvalla po bën plane që ditëve në vijim të qëndrojë goxha gjatë nëpër avione, duke udhëtuar jashtë Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga ajo, ka dhënë një tender për blerje të biletave në vlerë goxha të madhe. Në fakt, pesha e tij është afro 700 mijë euro, shkruan Demokracia.com.
Me këto para është thënë se do të blihen 1 mijë e 900 bileta, por nuk dihet se cilat do të jenë shtetet ku do të shkohet.
“Shërbimet e transportit ajror. Data e dhënies së kontratës 24.07.2024. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 31.07.2024. Numri i tenderëve të pranuar: 2. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata “AS TRAVEL CLUB”. Vlera e përgjithshme e kontratës 684,019.00 euro”, thuhet në njoftimin e shpallur.
MPJD ka treguar se kontrata e re po lidhet në këtë kohë, pasi sipas tyre ajo aktualja është afër përfundimit.
“Kontrata aktuale është pothuajse në përfundim, gjithashtu gjatë sezones së verës, MPJD ka disa aktivitete të ndryshme të cilat do të mund të shpejtojnë përfundimin e kontratës”.
Kjo kontratë thuhet se hyn në fuqi menjëherë pas përfundimit të kontratës aktuale.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të lidhet një kontratë kornizë me një Operator ekonomik (OE) të kualifikuar, i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare që do të autorizohen nga MPJD-ja. Gjatë periudhës 2-vjeçare numri i përafërt i biletave do të jetë 1900 copë në destinacione të ndryshme të botës. Kontrata konsiderohet e realizuar në bazë të sasive të biletave dhe jo vlerës”.
Ministria ka treguar se vlera e biletës prej € 360.00 është një vlerë e paragjykuar që shërben vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës.
“Çmimi real do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga sistemi kompjuterik i rezervimit AMADEUS, GALILO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm ose sisteme online. Kontrata do të bazohet në sasi. Tarifa e shërbimit duhet dhënë në kolonën Nr. 4 të rreshtit Nr.2 me vetëm dy shifra pas presjes dhjetore, (p.sh. € 0.00). Çdo shifër me më shumë se dy (2) numra pas presjes dhjetore nuk do të merret për bazë në llogaritjen e vlerës së ofertës”.
Në muajin shtator të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Jashtme kishte dhënë një tender për shërbime të transportit ajror, furnizim me aviobileta. Pesha e këtij tenderi kishte vlerën e 741 mijë eurove.