Bislim Zyrapi deklaroi se lidhur me rastin në Rahovec, ku ishin kryer disa sulme nga UÇK-ja, komandanti i njësisë lokale atje kishte vepruar pa e pyetur Shtabin e Përgjithshëm.
Ai shtoi se nuk e kanë dhënë dritën e gjelbër dhe as sugjerimet e tyre lidhur me këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Se në atë kohë kur ka ndodhë rasti në Rahovec, ne nuk e kemi dhënë si Shtab i Përgjithshëm as dritën e gjelbër e as nuk kemi sugjeruar që të shkohet në ato sulme. Se për të shkuar në sulme të tilla e vendbanime është dashur kohë kogja e gjatë, njësi, mjete, për të marrë një operacion të tillë. Në këtë rast komandanti i kësaj njësie lokale ka bërë një veprim që nuk na ka pyet. Ka hy në Rahovec dhe kanë fillu sulmet, nga të cilat e kemi pas një pasojë jashtëzakonisht negative në këtë rast”, tha Zyrapi.
Dëshmitari Zyrapi tha se kanë pasur shumë pasoja negative pas këtij rasti, duke përfshirë edhe humbje në njerëz e humbje territori.
“Së shpejti shumë njësi u destabilizuan dhe neve na u dashtë një kohë bukur e gjatë që të bijnë brenda ose të rikonstrukturohen në formën ushtarake pas sulmit të verës së 1998-ës”, tha ai.
Zyrapi shtoi se as popullsia civile nuk ishin të kënaqur me këto veprime, duke thënë se pas këtij rasti filloi ofensiva serbe.
“Pas saj, filloi ofensiva edhe në territoret tjera dhe në zonat tjera dhe në tërë territorin e Kosovës dhe kështu që patëm shumë pasoja të mëdhaja”, tha dëshmitari Zyrapi.
Bislim Zyrapi mohoi të ketë dhënë ndonjë urdhër për Shtabin lokal që të kryente sulme në mënyrë që të tërhiqte vëmendjen e serbëve për qëllim të mbrojtjes së popullsisë civile.
Po ashtu, shtoi se sa është në dijeni, askush nga anëtarët e Shtabit nuk e kishte bërë një gjë të tillë.