Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, me gjashtë vota për, ka rekomanduar që Kuvendi ta miratojë Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Republikës së Kosovës, i cili ishte kthyer për rishqyrtim nga ish-presidentja Vjosa Osmani në vitin 2024
Gjatë shqyrtimit të këtij vendimi, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka kërkuar sqarime nëse kanë kaluar afatet për trajtimin e ligjit, duke theksuar se ai ishte kthyer nga ish-presidentja Osmani.
Kryetari i Komisionit, Mefail Bajqinovci, ka thënë se komisioni është përgjegjës për shqyrtimin e ligjit të kthyer, ndërsa vendimi përfundimtar i takon Kuvendit, përmes votimit në seancë plenare.
“Misioni ynë është komision përgjegjës raportues për shqyrtimin e ligjit të kthyer nga presidentja për rishqyrtim. Rregullorja e Kuvendit dhe gjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin numër KO 57/12 përcakton procedurën për miratimin e ligjit të kthyer. Kërkohet shumica e votave të të gjithë deputetëve, përkatësisht së paku 61. Vendimmarrja përfundimtare i takon Kuvendit përmes votimit në seancë plenare. Meqenëse në këtë fazë të shqyrtimit nuk lejohet paraqitja e propozimeve e amandamente, propozoj që komisioni t’i rekomandojë Kuvendit të Republikës së Kosovës miratimin e ligjit në tekstin siç është miratuar në leximin e dytë. Vendimi përfundimtar i mbetet Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Musliu ka kërkuar që të bëhet e qartë se kur është kthyer ligji dhe nëse procedurat e përcaktuara me rregulloren në fuqi janë respektuar.
“Kish me qenë mirë me i potencu edhe datat, se kur është kthyer ky ligj dhe cila presidente e ka kthyer këtë ligj. Është shumë e rëndësishme me e bo të qartë para komisionit, sepse me sa di unë, këtë ligj e ka kthyer presidentja Osmani. Dhe është mirë me e qartësu për opinionin, që ta kenë të qartë se çfarë vendimi po marrim sot. Dhe duke pasur parasysh që ky ligj është kthyer nga presidentja Osmani, në bazë të rregullores që është në fuqi, ky ligj i ka kaluar të gjitha afatet e lejuara, nëse s’gaboj. Nëse, nëse unë e kam gabim, pres që ju me më plotësu edhe qoftë administrata, qoftë ju. Me na i dhënë disa sqarime, sepse nëse është, nëse është ligj që e ka kthyer Osmani, është mirë me u potencu në procesverbal që është ligji i saj. Kështu që unë kam nevojë, para se të votojmë për këtë çështje, me mirëkuptim, kërkoj disa informacione shtesë sa i përket këtij ligji”, tha ajo.
Në përgjigje të kësaj kërkese, Bajqinovci ka thënë se sipas opinionit të Zyrës Ligjore të Kuvendit, nuk ka afate procedurale për këtë çështje.
“Opinioni i zyrës së Kuvendit, pra zyrës ligjore, është që është në rregull. Nuk ka afate procedurale për këtë çështje”, tha ai.
Ndërkaq, deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila ka qenë pjesë e grupit punues për hartimin e këtij ligji, ka thënë se gjatë shqyrtimit të tij nuk kishte pasur kundërshtime nga përfaqësuesit ligjorë të Presidencës, ndërsa pas miratimit në Kuvend, Presidenca kishte dërguar disa vërejtje.
“Gjatë punimeve të atij ligji nuk ka pasë asnjë pretendim prej zyrës ligjore të presidencës apo këshilltarët ligjorë që ka pasur ndonjë kundërshtim me atë ligj që na ka pru sponsorizuesi nga qeveria. Masi që e ka kalu në Kuvend, prej presidencës kanë ardhë nja 2 amendamente. Amendamente apo 2 nene, nuk e di se ça ka qenë, s’e mbaj mend tash, se s’e kam kqyrë së fundmi. Po që kanë pasë diçka kundërshtim, qoftë me një ligj, apo nuk e di. Gjendja e jashtëzakonshme po duket. Edhe aty ka mbetë pastaj, mbase, për shkak të procedurave të mëtutjeshme, nuk ka mrri me u shqyrtu as në komision, e as me u kthy në Kuvend. Po faza prej kur kthehet një ligj prej presidencës, edhe kur mundet me u shqyrtu në komision, nuk është e përcaktuar, siç po thotë edhe Nuri. Nuk ka afat që duhet me u përmbajtë, se për 1 muaj apo 5 muaj që duhet me u kthy patjetër në Kuvend”, tha ajo.
Pas rekomandimit të komisionit, vendimi përfundimtar për miratimin e ligjit mbetet në kompetencë të Kuvendit, ku kërkohen së paku 61 vota.