Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, e ka komentuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, duke thënë se ai kishte kërkuar azil politik në Gjermani gjatë kohës së pasluftës, por kërkesa e tij u refuzua.
Në një intervistë për “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Haliti tregoi se Rugova ishte detyruar të kthehej në Itali, ku qëndroi për një periudhë kohor.
“Rugova, kur shkoi nga Beogradi në Itali dhe në Gjermani, kërkoi azil politik, por nga Gjermania nuk ia dha azil politik. U kthye në Itali dhe qëndroi atje. Unë personalisht, së bashku me Hashim Thaçin dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, kemi dërguar njerëz te Rugova në Itali dhe e kemi lutur që të vijë në Shqipëri, mos të qëndrojë atje”, ka thënë Haliti.
Haliti shpjegoi se kishte pasur mendime se nëse Rugova do të kthehej, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) do ta vriste, një shqetësim që ishte ndarë nga diplomatë evropianë.
Megjithatë, Haliti tha se UÇK-ja garantoi sigurinë e Rugovës dhe ai u kthye në Kosovë pa incidente të mëdha.
“Ka pasur mendime që, po të vinte Rugova, UÇK-ja do ta vriste. Na është thënë nga personalitete diplomatike evropiane dhe ne i kemi dërguar njerëz për ta kthyer dhe ai u kthye pa ndonjë problem të madh”, ka shtuar Haliti.
Ai gjithashtu përmendi se kishte pasur disa incidente të vogla, por asgjë serioze nuk kishte ndodhur pas kthimit të Rugovës.
Haliti gjithashtu foli për rezultatet e zgjedhjeve dhe suksesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të Rugovës menjëherë pas luftës, duke theksuar se kjo fitore nuk ishte pritur me kënaqësi nga UÇK-ja dhe mbështetësit e saj.
“Ne nuk e kemi pritur me kënaqësi që LDK-ja e Rugovës të fitonte. Jemi mërzitur si UÇK dhe si njerëz që kemi kontribuuar dhe kemi menduar që duhet të fitojmë”, tha ai.
Deklaratat e Halitit për azil politik janë kundërshtuar nga analisti Dardan Gashi, i cili e akuzoi atë për dezinformim.