Në seancën për rastin “Capat”- “Sekiraqa” po dëshmon Rinora Dermaku, bashkëshortja e pronarit të lokalit ku kishte ndodhur rasti më 1 shtator 2024.
Ajo ka treguar se kishte dëgjuar të shtëna të mëdha të armëve.
Unë kam qenë jashtë pak para se me ndodhë ngjarja jam hi në shank dhe nuk di kurgjë janë nisë zhurmët e mëdha jam kanë shumë e shqetësuar.
Prokurori Bashkim Zeqaj e pyeti se ku ishte Valoni në atë moment?
“Ka ardhë në shank më ka marrë jemi dalë jashtë te shkallët emergjente”, tha ajo.
A keni dalë vetë apo edhe dikush, pyeti prokurori?
“Ka qenë Valoni edhe djali i Salihut”, u përgjigj dëshmitarja.
A ke vërejt ndonjë gjë të dyshimtë në lokal, vazhdoi me pyetjet prokurori?
“Jo”, tha ajo.
A ju kujtohet momentin kritik ku ka qenë Salih Sekiraqa?, ishte pyetja e prokurorit.
“Në Tarracë, momentin kritik kam qenë shank nuk e di saktë, në Tarracë ka qenë” u përgjigj ajo.
Në deklaratën në polici keni thënë në faqen 4 rendi i parë: Shkelqa e ka thirrë Salihun në tel. dhe e ka pyet a je mirë aty Shkelqimi. Pyetja: A e ka thirrë Shkelqa Salihun? Pyeti prokurori.
Nuk e mbajë mend mirë veç ka bërtit shumë: babë a je mirë, babë a je mirë, tha dëshmitarja.
Sipas aktakuzës, në lokalin “From” dhe jashtë tij në Prishtinë, në bashkëkryerje, me dashje dhe me qëllim hakmarrjeje, të pajisur me armë zjarri, me qëllim që ta privojnë nga jeta Salih Sekiraqën dhe anëtarët e grupit të tij, Robert Llumnicën, Fatos Abazin dhe Endrit Llapashticën, me dashje dhe me vetëdije, duke vënë në rrezik jetën edhe të personave të tjerë, të pandehurit Vesel Bunjaku, si edhe personave tjerë që gjendeshin në lokal dhe afër tij, të akuzuarit si pjesëtarë të grupit “Capat”, mblidhen, maskohen dhe pajisen me armë AK-47, me pesë armë të shkurtra dhe me mjete të forta– stupca.
Aktakuza thotë se të akuzuarit më pas marrin tri vetura, duke ua ndërruar targat dhe vendosën targa të vjedhura, ku tani i ndjeri Premtim Gashi, së bashku me Korab Gashin, Valdrin Ademin, Dardan Marevcin dhe Erd Marevcin, si dhe me persona të tjerë të paidentifikuar, nisen me tri vetura në lokalin “From”, ku e dinin se gjendeshin Salih Sekiraqa me grupin e tij.
Motivi i sulmit, sipas aktakuzës, lidhet me konfliktin e mëhershëm të datës 4 mars 2024, të ndodhur mes Shkumbin Sekiraqës (djali i Salih Sekiraqës) dhe Pajtim Gashit (vëllai i tani të ndjerit Premtim), i cili e kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve.