Një tjetër letër e Arlinda Zekajt, e cila u vra një javë më parë në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj, ka dalë në dritë, duke zbuluar thirrjet e saj të dëshpëruara për ndihmë drejtuar institucioneve.
Në dokumentin e publikuar nga media, ajo i drejtohet gjyqtarit Migjen Kastrati me datë 7 shtator, përmes një kërkesë-lutjeje për caktimin e një urdhri mbrojtjeje. Në letër, e ndjera shpreh hapur frikën për sigurinë e saj dhe pasigurinë lidhur me vendndodhjen e fëmijës.
“Shkruaj si një grua që tani po e ndjen rrezikun për jetën e vet, ashtu edhe për jetën e fëmijës që nuk e di ku e kam”, thuhet në një nga fragmentet e publikuara.
Dokumenti u bë publik nga asamblistja e PSD-së në Komunën e Deçanit, Natyra Kuçi, e cila theksoi se kjo ishte vetëm një nga lutjet e shumta që Arlinda u kishte drejtuar autoriteteve për të kërkuar mbrojtje. Publikimi i kësaj letre rikthen në vëmendje apelet e përsëritura të Zekajt dhe dështimin e institucioneve për t’i siguruar mbrojtjen e jetës përpara se ngjarja tragjike të ndodhte.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.