NASA po feston Halloween-in këtë vit duke publikuar fotografitë më të frikshme të universit

NASA po feston Halloween-in këtë vit duke publikuar fotografitë më të frikshme të universit.

Agjencia hapësinore zbuloi disa pamje të pazakonta dhe misterioze të hapësirës të mërkurën, në prag të 31 tetorit.

Format e kafkave dhe sytë fantazmë janë ndër imazhet e një galerie me pamje drithëruese nga hapësira, të përzgjedhura me tematikë Halloween-in.

Njëra prej fotografive tregon Diellin që duket si një kungull gjigant i Halloween-it, ku zonat e tij aktive krijojnë përshtypjen e një kungulli të gdhendur.

Një tjetër fotografi paraqet atë që ngjan me një sy të frikshëm. Rrethi në formë syri, me ngjyrë blu në të gjelbër, është në fakt një mjegullnajë planetare e re, e cila ndodhet rreth 8 mijë vite dritë larg Tokës.

Duke prezantuar katër pamje që ngjajnë me sy, agjencia shkroi:

“A ju ka ndodhur ndonjëherë të keni ndjesinë se dikush po ju vëzhgon?

Edhe pse të gjitha këto objekte kozmike ndodhen miliona vite dritë larg, ato sërish mund të na shkaktojnë mornica kur i zbulojmë duke na vështruar nga larg.”