Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka publikuar arsyetimin e vendimit për suspendimin e zëvendëskryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila njëkohësisht ushtronte detyrën e koordinatores për dhunën në familje.
Sipas vendimit, prokurorja ishte në dijeni se më 22 tetor 2026 ishte shkelur urdhri mbrojtës ndaj Arlinda Zekajt dhe se në shtëpinë e saj po qëndronin persona të tjerë, përfshirë Albert Sylajn, i dyshuar për vrasjen e saj.
KPK-ja thekson se Policia e kishte njoftuar prokuroren për rastin, ndërsa gjatë intervistimit Arlinda Zekaj kishte deklaruar se Albert Sylaj e kishte kërcënuar me fjalët: “Largomu, largomu se të mys”.
Megjithatë, sipas vendimit, Nallbani-Gacaferri kishte udhëzuar që Sylaj të intervistohej në cilësinë e dëshmitarit, duke mos e trajtuar kërcënimin e drejtpërdrejtë si rrethanë që kërkonte vlerësim të rrezikshmërisë ndaj viktimës.